Ilir Meta ka paraqitur një kërkesë në GJKKO për zbutjen e masës së sigurisë, ndërsa shqyrtimi i saj është caktuar për datën 24 mars.
Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari Paulin Çera. Ish-presidenti ka kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me alternativa më të lehta, si “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje”, “ndalim i daljes jashtë shtetit” ose lirimin kundrejt një garancie pasurore.
Në argumentimin e tij, Meta ka theksuar se hetimet kanë përfunduar dhe çështja është dërguar për gjykim, ndaj sipas tij nuk ekziston më rreziku për prishje provash apo ndikim mbi dëshmitarët.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza që lidhen me çështjen CEZ-DIA, kontrata lobimi në SHBA, si dhe dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Vendimi i gjykatës pritet të përcaktojë nëse masa e sigurisë ndaj tij do të ndryshojë apo do të mbetet në fuqi.
