Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një vajzë vetëm 2-vjeçare ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi është sulmuar nga piranjat në një lumë pranë qytetit Coari, në rajonin e Amazonës.
Vajza, e identifikuar si Klara, jetonte me prindërit e saj në një banesë lundruese buzë lumit, e cila nuk kishte gardh mbrojtës. Sipas raportimeve, në një moment pakujdesie ajo ka dalë nga shtëpia, ka shkuar drejt lumit dhe ka rënë në ujë, ku është sulmuar nga peshqit mishngrënës.
Ngjarja ndodhi të hënën e kaluar. Prindërit e saj, sapo vunë re mungesën e vajzës, nisën kërkimet, por fatkeqësisht trupi i saj u gjet rreth pesë minuta më vonë. Autoritetet konfirmuan se lëndimet më të rënda ishin konstatuar në zonën e qafës.
Rasti vjen pas disa incidenteve të tjera të raportuara muajt e fundit në Amazonë, ku piranjat kanë sulmuar notarë në zona të njohura turistike. Ekspertët lokalë shpjegojnë se këto sjellje agresive lidhen shpesh me sezonin e shumimit, kur piranjat bëhen më territoriale.
Biologë vendas u bëjnë thirrje banorëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes maksimal pranë lumenjve dhe të shmangin larjen apo lëvizjen pranë brigjeve, veçanërisht në periudha me rrezik të shtuar.
