Një tentativë grabitjeje është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Pogradec, ku tre persona të maskuar kanë tentuar të vjedhin një argjendari në qytet.
Sipas pronarit të biznesit, Lytfi Alia, autorët kanë hapur derën e dyqanit duke përdorur një kriko makine, por janë detyruar të largohen pa marrë asgjë pasi është aktivizuar sistemi i alarmit.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se grabitësit ishin tre persona dhe të gjithë të maskuar, çka e bën më të vështirë identifikimin e tyre.
Pronari thekson se kjo nuk është hera e parë që biznesi i tij bëhet objekt i grabitjeve. Sipas tij, argjendaria është vjedhur të paktën tre herë ndër vite, duke i shkaktuar dëme që arrijnë mbi 15 mijë euro.
“Dyqani im është vjedhur disa herë dhe ende nuk janë kapur autorët. Kemi frikë për biznesin, nuk mund të punojmë të qetë”, u shpreh ai.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa pritet të analizohen edhe pamjet filmike të sigurisë për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
