Komisioni Evropian ka konfirmuar se është goditur nga një sulm kibernetik që ka prekur faqet zyrtare dhe infrastrukturën digjitale të Bashkimit Evropian.
Incidenti ndodhi në platformën Europa.eu, e cila shërben si qendra kryesore për faqet online të institucioneve të BE-së, përfshirë Parlamentin dhe Këshillin Evropian. Sulmi ka targetuar mjedisin “cloud” që mbështet këtë sistem.
Sipas autoriteteve, reagimi ka qenë i menjëhershëm: janë aktivizuar protokollet e sigurisë dhe situata është vënë nën kontroll brenda një kohe të shkurtër, duke kufizuar përhapjen e sulmit.
Megjithatë, hetimet paraprake sugjerojnë se mund të ketë pasur rrjedhje të të dhënave nga disa prej faqeve të prekura. Deri tani, shtrirja e plotë e incidentit mbetet e paqartë dhe po analizohet nga ekspertët.
Komisioni theksoi se sistemet e brendshme nuk janë komprometuar, çka ul rrezikun për të dhëna sensitive apo funksione kritike institucionale.
Autoritetet nuk kanë identifikuar ende autorët e sulmit, ndërsa hetimet janë në vijim. Në të njëjtën kohë, po ndërmerren masa për të forcuar mbrojtjen kibernetike dhe për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Ky rast vjen në një periudhë kur kërcënimet kibernetike ndaj institucioneve evropiane janë në rritje, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë digjitale në nivel kontinental.
