Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër një rrjeti kibernetik të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione propagandistike.
Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, domenet e bllokuara ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe shërbenin për publikimin e të dhënave të vjedhura, sulme kibernetike dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Shqipëria përmendet drejtpërdrejt në këtë operacion, pasi institucionet e saj kishin qenë më herët objekt i sulmeve nga i njëjti rrjet, ku janë publikuar edhe të dhëna të vjedhura.
Hetimet e FBI zbuluan se aktiviteti i këtij rrjeti nuk kufizohej vetëm në hapësirën online. Autorët kanë dërguar edhe kërcënime direkte me jetë ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në vende të ndryshme, duke pretenduar madje bashkëpunim me grupe kriminale ndërkombëtare dhe duke ofruar shpërblime deri në 250 mijë dollarë për eliminimin e objektivave.
Sipas autoriteteve amerikane, sulmet ndaj Shqipërisë lidhen edhe me praninë në territorin e saj të grupit opozitar iranian Mujahedeen e-Khalq, i cili kundërshton regjimin në Teheran.
Ndërkohë, Shqipëria së fundmi e ka shpallur Iranin si “shtet sponsor të terrorizmit”, duke rritur më tej tensionet mes dy vendeve.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur gjithashtu një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që ndihmojnë në identifikimin e personave përgjegjës për sulmet ndaj infrastrukturës kritike.
Autoritetet amerikane theksojnë se hetimet vijojnë dhe paralajmërojnë se të gjithë të përfshirët në këto aktivitete do të përballen me drejtësinë.
