Raporti i Freedom House 2026: Shqipëria dhe Kosova mbeten “pjesërisht të lira”, rajoni i Ballkanit me sfida në demokraci

Data

Raporti më i fundit i Freedom House për vitin 2026 e rendit Shqipërinë dhe Kosovën në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira”, duke reflektuar sfidat e vazhdueshme në demokraci, sundimin e ligjit dhe institucionet.

Sipas raportit “Freedom in the World”, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Raporti thekson se gjykatat në vend kanë treguar shenja pavarësie, megjithëse janë përballur me presione politike.

Megjithatë, kriza institucionale gjatë vitit 2025, kur vendi u qeveris për një periudhë të gjatë nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar negativisht në disa tregues, duke frenuar progresin në drejtësi dhe stabilitet politik.

Nga ana tjetër, Shqipëria vlerësohet me 69 pikë, duke mbetur ndër vendet më të vlerësuara në rajon, por sërish në kategorinë “pjesërisht e lirë”. Edhe Shqipëria ka shënuar një përmirësim minimal prej një pike krahasuar me raportin e mëparshëm.

Në krahasim rajonal, Mali i Zi renditet me 68 pikë, Maqedonia e Veriut me 67, ndërsa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina paraqiten më dobët me përkatësisht 53 dhe 54 pikë.

Raporti evidenton gjithashtu një trend shqetësues global: për të 20-in vit radhazi, liritë politike dhe qytetare kanë pësuar rënie në nivel botëror. Vetëm 21% e popullsisë globale jeton në vende të konsideruara “të lira”, një rënie e ndjeshme nga 46% që ishte dy dekada më parë.

Sipas Freedom House, korrupsioni, presioni ndaj mediave, dobësimi i institucioneve dhe krizat politike mbeten ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë e demokracisë në shumë vende, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related