Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar lidhur me mungesën e përfaqësuesve të saj në delegacionin zyrtar të Kuvendit gjatë vizitës në Bundestag, duke e cilësuar këtë një vendim të paprecedent.
Sipas sqarimit zyrtar, fillimisht Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kishte kërkuar nga PD caktimin e dy deputetëve për delegacionin, ku u propozuan Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu.
Megjithatë, sipas opozitës, më pas u vendos përjashtimi i tyre pa asnjë arsye, duke i hequr nga lista e delegacionit dhe duke privuar Partinë Demokratike nga përfaqësimi institucional.
PD e cilëson këtë veprim si një tregues të mungesës së standardeve demokratike dhe si një përpjekje për të përjashtuar opozitën nga aktivitetet zyrtare ndërkombëtare.
Në reagim, opozita akuzon mazhorancën për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa thekson se trajtimi i opozitës si “armik” nuk i zgjidh problemet e qeverisjes.
Pavarësisht kësaj, PD bën të ditur se përfaqësuesit e saj ndodhen në Gjermani dhe po zhvillojnë takime të veçanta me partnerë ndërkombëtarë në Bundestag dhe në qeverinë federale, duke vijuar angazhimin për integrimin europian dhe forcimin e shtetit ligjor.
