Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare më 22 mars, duke vijuar aksionin opozitar kundër qeverisë së Edi Rama.
Sipas njoftimit, protesta do të mbahet në orën 18:00 përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku pritet të mblidhen mbështetës dhe qytetarë nga e gjithë vendi.
Ky tubim vjen pas disa formave të tjera proteste të zhvilluara nga opozita, përfshirë marshime dhe grumbullime para Parlamentit. Këtë herë, opozita i rikthehet skenarit klasik të protestës përpara zyrës së kreut të qeverisë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin si përgjegjës për aferat korruptive në vend, duke theksuar se ministrat janë vetëm zbatues të vendimeve të tij.
Ai ka paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në largimin e qeverisë, duke e cilësuar aksionin opozitar si një betejë të vazhdueshme politike.
Protesta e 22 marsit pritet të jetë një tjetër test për mobilizimin e opozitës dhe reagimin qytetar në klimën aktuale politike në vend.
