Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka paqartësi mbi gjendjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke thënë se nuk është e qartë nëse ai është ende gjallë.
Duke folur për gazetarët në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se ka raportime të ndryshme për gjendjen e tij shëndetësore.
Sipas tij, disa burime pretendojnë se Khamenei është plagosur rëndë dhe mund të ketë humbur një këmbë, ndërsa të tjera raportime sugjerojnë se ai mund të ketë vdekur.
Trump theksoi se mungesa e paraqitjeve publike të udhëheqësit iranian ka shtuar dyshimet për gjendjen e tij.
Ai shtoi se deri tani askush nuk e ka parë publikisht Khamenein që nga raportimet për plagosjen e tij, duke e cilësuar këtë situatë si të pazakontë.
