Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se rritja e çmimit të naftës është e pashmangshme, duke e lidhur këtë zhvillim me situatën në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet e fundit në Lindjen e Mesme.
Gjatë podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se situata në Ngushticën e Hormuzit ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin global të furnizimit me energji, duke sjellë rritje të çmimeve në tregjet botërore.
Sipas tij, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit në një pikë strategjike si Ngushtica e Hormuzit ka sjellë pasoja të menjëhershme në tregtinë globale të energjisë.
“Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është Ngushtica e Hormuzit”, u shpreh Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria po punon për krijimin e një faktori shtetëror në tregun e brendshëm të karburanteve, i cili sipas tij do të ketë rol stabilizues dhe do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimeve.
Ai theksoi se ky mekanizëm do të ndihmojë në garantimin e furnizimit me karburant dhe në uljen e ndikimit të luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare në çmimin e naftës në Shqipëri.
Ndërkohë, Rama bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave kanë ngritur një Task Forcë për të monitoruar tregun e karburanteve dhe për të parandaluar çdo rritje abuzive të çmimeve.
Task Forca do të analizojë gjithashtu ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregun e produkteve ushqimore, me qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të abuzimit në treg.
