Tenderi 400 milionë euro për portin e ri në Porto Romano anulohet, Rama: Ka faktorë të nëndheshëm që lidhen me trafiqet

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me anulimin e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt me vlerë rreth 400 milionë euro.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se porti i ri është një projekt strategjik për Shqipërinë dhe lidhet me Korridorin VIII, i cili përfshin edhe portet e thata të Prishtinës dhe Shkupit.

Sipas kryeministrit, projekti nuk ka hasur kundërshtime nga aleatët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian. Ai shtoi se projekti i hartuar nga kompania “Royal Haskoning” ndodhet aktualisht në tryezën e NATO-s dhe pritet të kalojë në një filtër politik.

Rama u shpreh se ka faktorë të ndryshëm që nuk e mirëpresin realizimin e këtij projekti, duke përmendur edhe elementë që lidhen me trafiqe dhe interesa të tjera politike.

“Faktorë brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm që lidhen me trafiqet, deri tek faktorët politikë dhe të tjerë jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk kanë sesi ta mirëpresin këtë port”, tha Rama.

Ai theksoi se një port i ri i këtyre përmasave do ta vendoste Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe do ta kthente vendin në një nyje strategjike të transportit detar në Europë.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi se konsorciumi i vetëm që kishte mbetur në garë është tërhequr për arsye ekonomike, duke argumentuar rritjen e kostove për shkak të krizës.

Megjithatë, qeveria ka bërë të ditur se do të punojë për një skenar të ri për të vijuar projektin dhe për të nisur ndërtimin e portit në Porto Romano.

Projekti për portin e ri parashikon ndërtimin në dy faza dhe kapacitete më të mëdha përpunimi kontejnerësh krahasuar me portin aktual të Durrësit. Tenderi për këtë projekt, me vlerë rreth 393 milionë euro pa TVSH, ka dështuar disa herë gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, për procedurat e tenderimit ka pasur edhe një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar dokumentacionin e garës në Autoritetin Portual të Durrësit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related