Çmimi i naftës rreth 200 lekë për litër, Erisa Xhixho: Të pezullohen taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit

Data

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë dhe deputetja Erisa Xhixho ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri gjatë ditëve të fundit, duke kërkuar masa të menjëhershme nga qeveria për uljen e kostos së karburanteve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho u shpreh se çmimi i naftës në vend ka arritur rreth 200 lekë për litër, ndërsa theksoi se sipas saj rreth 60% e këtij çmimi përbëhet nga taksat që shkojnë në buxhetin e shtetit.

Deputetja e opozitës tha se qytetarët paguajnë dy herë për mirëmbajtjen e rrugëve, njëherë përmes tarifës së kolaudimit të automjeteve dhe një herë tjetër përmes taksës së qarkullimit që përfshihet në çdo litër karburanti.

Sipas saj, nga taksa e qarkullimit qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, ndërsa për mirëmbajtjen e rrugëve shpenzohen vetëm rreth 55 milionë euro.

Xhixho theksoi gjithashtu se rritja e çmimit të karburantit ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, si buka, mielli, makaronat dhe vaji.

Për këtë arsye, ajo bëri të ditur se Partia e Lirisë ka propozuar në Kuvend pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, si një masë që sipas saj do të ulte menjëherë çmimin e naftës për qytetarët.

“Qeveria duhet të marrë masa konkrete për uljen e çmimit të karburantit dhe jo të bëjë teori për borde të dështuara. Qytetarët shqiptarë nuk mund të vazhdojnë të paguajnë për paaftësinë dhe grabitjen me taksa”, u shpreh ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related