Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar deputetët e parlamentit se në kohë lufte duhet të vendosin si do t’i shërbejnë vendit, duke theksuar se ata duhet të kontribuojnë ose në parlament ose në frontin e luftës.
Duke folur për mediat vendase, Zelensky deklaroi se është i gatshëm të propozojë ndryshime në ligjin e mobilizimit, në mënyrë që deputetët që heqin dorë nga mandati të detyrohen t’i bashkohen ushtrisë.
“Që nga ditët e para të pushtimit rus në shkallë të plotë kishte deputetë që donin të dorëzonin mandatin. Mund të ketë arsye të ndryshme, por vendi është në gjendje lufte dhe duhet të mbrohet. Deputetët duhet të shërbejnë ose në parlament sipas ligjit, ose në front”, tha ai.
Sipas presidentit ukrainas, ekziston edhe mundësia e ndryshimit të legjislacionit dhe mbajtjes së zgjedhjeve, por ai theksoi se organizimi i zgjedhjeve gjatë luftës është pothuajse i pamundur për shkak të kufizimeve ligjore dhe situatës së sigurisë.
Zelensky kritikoi gjithashtu opozitën parlamentare, duke deklaruar se ajo shpesh nuk voton për projektligje të rëndësishme, përfshirë ato që lidhen me mbështetjen financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe me procesin e integrimit europian.
Ai shtoi se disa ligje të rëndësishme për financat dhe mbrojtjen e vendit po vonohen për shkak të mijëra amendamenteve dhe negociatave të gjata politike.
Komentet e tij vijnë në një moment tensionesh politike në parlamentin ukrainas, pasi disa projektligje të rëndësishme të lidhura me kërkesat e FMN-së dhe reformat ekonomike nuk kanë arritur të miratohen.
