Ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka reaguar ashpër për situatën politike në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në një lidhje televizive, Bumçi u shpreh se vendi po përballet me një krizë të thellë pas 13 viteve qeverisje të kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, kjo periudhë ka dëmtuar rëndë institucionet dhe ka penguar përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Bumçi deklaroi se Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë si një “narko-shtet”, duke e lidhur këtë me trafikun e drogës, korrupsionin dhe problemet në proceset zgjedhore.
Ai theksoi gjithashtu se SHBA prej kohësh kanë ngritur shqetësime për luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në vend.
Sipas Bumçit, zhvillimet gjeopolitike në Evropë, veçanërisht lufta në Ukrainë, krijuan një mundësi për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por Shqipëria nuk arriti ta shfrytëzojë këtë moment.
Ai shtoi se çështje të fundit që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe projekte të mëdha infrastrukturore kanë sjellë reagime më kritike nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Gjermaninë.
“Nuk ka Europë pa demokraci, pa të drejta njeriu dhe pa një shtet funksional të së drejtës. Një narko-shtet nuk mund të hyjë në familjen europiane”, deklaroi Bumçi.
