18 vite nga Gërdeci, avokati i familjarëve: Mediu s’ka vepruar vetëm, mbi të ishte kryeministri Berisha

Data

Në 18-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, avokati i familjarëve të viktimave, Dorian Matlija, deklaroi se procesi për zbardhjen e përgjegjësive është i vonuar dhe se drejtësia për këtë ngjarje ende nuk është vendosur.

Sipas tij, hetimet për tragjedinë përfunduan që në vitin 2009, ndërsa sot, në vitin 2026, çështja vazhdon të jetë ende në proces gjyqësor.

“I gjithë procesi është i vonuar. Hetimi është bërë në 2008, ka përfunduar në 2009 dhe sot jemi 18 vite pas tragjedisë”, u shpreh Matlija.

Ai theksoi se Prokuroria e Përgjithshme për shumë vite nuk ka ndërmarrë veprime për të rihapur dhe hetuar më tej dosjen, ndërsa ishte SPAK që vendosi, pas kërkesave të shumta, ta rikthente çështjen në gjykim.

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është dërguar për gjykim ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Megjithatë, sipas avokatit të familjarëve, deri më tani askush nuk është dënuar për vrasje për 26 viktimat e shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

Matlija theksoi se familjarët kërkojnë që të zbardhet i gjithë zinxhiri i përgjegjësive për tragjedinë, duke përfshirë edhe zyrtarët e tjerë që mund të kenë pasur dijeni për rrezikun.

Sipas tij, familjarët besojnë se ngjarja ishte e paralajmëruar dhe se mund të ketë pasur dijeni nga zyrtarë të lartë për rrezikun e një shpërthimi të tillë.

Avokati shtoi gjithashtu se ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka vepruar i vetëm në vendimmarrje.

“Ministri nuk vepron në vakum. Ka një kryeministër mbi kokë dhe mund të ketë pasur edhe persona të tjerë të përfshirë”, u shpreh Matlija.

Ai shtoi se një pjesë e hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash është ndarë në një fraksion të veçantë nga SPAK, por për momentin nuk ka informacion publik mbi fazën ku ndodhen këto hetime.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related