Një çift sipërmarrësish është përballur me momente terrori pasi katër persona të maskuar dhe të armatosur hynë gjatë natës në vilën e tyre në zonën e Capalbio, në provincën e Grosseto në Itali.
Sipas mediave italiane, grabitja ndodhi mbrëmjen e së premtes në një vilë në zonën rurale të Maremma. Katër autorët hynë në pronë përmes kopshtit dhe pritën kthimin e pronarëve të shtëpisë.
Rreth orës 22:30 në banesë mbërriti fillimisht bashkëshortja e sipërmarrësit, e cila u detyrua të hapte derën. Grabitesit e kërcënuan me armë dhe i kërkuan të tregonte vendndodhjen e kasafortës, por në shtëpi nuk kishte një të tillë.
Rreth një orë më vonë mbërriti edhe bashkëshorti, 67 vjeç, i cili dyshoi se diçka nuk shkonte pasi vuri re dritaret e hapura të shtëpisë. Pak çaste më pas ai u përball me grabitësit, të cilët i drejtuan armën në kokë dhe i kërkuan sërish të tregonte ku ndodhej kasaforta, duke menduar se ai mbante në shtëpi të ardhurat nga biznesi.
Megjithatë, sipërmarrësi kishte shitur aktivitetin e tij dy vite më parë. Në mungesë të shumave të mëdha të parave, grabitësit morën rreth 400 euro cash që ndodheshin në banesë.
Autorët grabitën gjithashtu edhe unazën e martesës së nënës së gruas, e cila kishte ndërruar jetë vetëm 20 ditë më parë.
Pas largimit të grabitësve, çifti njoftoi menjëherë policinë, ndërsa sipërmarrësi bëri kallëzim zyrtar. Karabinierët kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
