Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Lëvizja vjen në një moment delikat për procesin e integrimit europian, ndërsa burime politike flasin për sinjale nga Bashkimi Europian që çështjet që lidhen me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit duhet të trajtohen pa vonesa institucionale.
Mbledhja e Këshillit pritet të thirret pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe publikimit të tij në Fletoren Zyrtare. Gjykata u nda në votim 4-4 lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të një anëtari të qeverisë, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut.
SPAK ka dorëzuar në Kuvend një relacion voluminoz hetimor, i cili sipas burimeve përfshin rreth 16 mijë faqe dokumentacion, përgjime dhe materiale provuese. Në dosje përmenden disa procedura tenderimi, përfshirë projektin e Tunelit të Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe, si dhe procedura të tjera infrastrukturore.
Prokuroria pretendon se hetimet mbështeten në komunikime elektronike dhe prova shkresore, ndërsa ka kërkuar autorizim për vijimin e procedurave, përfshirë masën e sigurisë.
Ndërkohë, mazhoranca ka paralajmëruar edhe ndërhyrje ligjore për të qartësuar çështjen e pezullimit të funksioneve kushtetuese, duke argumentuar se duhet të shmangen konfliktet e kompetencave mes pushteteve.
Vendimmarrja e Këshillit të Mandateve do të jetë hapi i parë procedural për të përcaktuar nëse kërkesa e SPAK do t’i kalojë për votim Kuvendit.
