Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Peqin, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar lëndimin e dy pasagjereve.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuara dy pasagjere që udhëtonin në njërin prej automjeteve. Ato janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Sipas njoftimit zyrtar, materialet procedurale janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal ndaj njërit prej drejtuesve të mjeteve, 32-vjeç, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.
Ndërkohë, qarkullimi në këtë segment rrugor ka vijuar me kujdes të shtuar deri në normalizimin e plotë të situatës.
