Organizata ndërkombëtare IDC-CDI dhe Forumi i Grave të saj (WCDI) kanë reaguar duke dënuar deklaratën seksiste të bërë ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë një seance plenare në Kuvend.
Në reagimin zyrtar, këto organizata kritikojnë deklaratën e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili iu referua deputetes me numrin “0900”, një shprehje që sipas tyre përbën fyerje dhe cenim të dinjitetit të një gruaje që mban funksion publik.
IDC-CDI dhe WCDI theksojnë se gjuha seksiste dhe përpjekjet për të poshtëruar gratë në politikë janë të papranueshme dhe bien ndesh me vlerat e përfaqësimit demokratik.
“Nënkuptimi degradues që i referohej numrit të saj si ‘0900’, një aludim i qartë ndaj një linje telefonike seksuale, përbën një akt të hapur mungese respekti dhe një sulm ndaj dinjitetit të një gruaje që shërben në detyrë publike”, thuhet në reagim.
Organizatat ndërkombëtare shprehin solidaritet me deputeten Albana Vokshi dhe u bëjnë thirrje forcave politike në Shqipëri që të dënojnë një gjuhë të tillë dhe të garantojnë që debati politik të zhvillohet me respekt.
Sipas tyre, seksizmi, ngacmimi dhe degradimi personal nuk duhet të tolerohen në jetën politike, ndërsa parlamentet duhet të japin shembull në mbrojtjen e barazisë, dinjitetit dhe respektit për gratë.
