Nga 15 marsi hyjnë në fuqi rregulla të reja për të huajt dhe automjetet në Kosovë, qeveria paralajmëron leje qëndrimi dhe kufizime për targat e huaja

Data

Nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet në Kosovë, duke sjellë rregulla të reja për qëndrimin e shtetasve të huaj dhe përdorimin e automjeteve me targa të huaja.

Sipas autoriteteve kosovare, të gjithë personat që nuk kanë dokumente të Kosovës do të duhet të pajisen me leje qëndrimi për të qëndruar në territorin e vendit. Ndërkohë, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë për më shumë se tre muaj, përveç rasteve kur kanë autorizim të veçantë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur gjithashtu masa lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës. Ata do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj dhe do të njihen kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.

Vendimi vjen pas një takimi në Prishtinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Sipas qeverisë, lejet e qëndrimit do të lëshohen edhe për punonjësit në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë që veprojnë në sistemin serb në zonat me shumicë serbe, në mënyrë që komuniteti të mos mbetet pa shërbime bazë gjatë procesit të integrimit të këtyre sektorëve në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, zbatimi i këtyre ligjeve është kundërshtuar nga përfaqësues të komunitetit serb, të cilët argumentojnë se masat mund të ndikojnë negativisht në funksionimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që operojnë në sistemin serb në veri të Kosovës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related