Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike në sektorin e infrastrukturës gjatë një takimi me përfaqësues të Departamentit të Infrastrukturës në PD.
Sipas tij, prej më shumë se një dekade flitet për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës, por ende nuk ka një tren funksional.
“Kanë të paktën 10 vite që flasin për hekurudhën Tiranë-Durrës, por tren nuk ka, karrocë ka, pavarësisht se paguhen 700-800 punëtorë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se në 12 vitet e fundit janë shpenzuar mbi 12 miliardë euro për infrastrukturën dhe punët publike, ndërsa sipas tij rezultatet konkrete janë shumë të pakta.
Berisha e cilësoi projektin e “Rilindjes Urbane” si një shembull të shpërdorimit të fondeve publike, duke thënë se investimet e mëdha nuk kanë sjellë përmirësim real të infrastrukturës.
Kryedemokrati përmendi gjithashtu disa projekte infrastrukturore që, sipas tij, kanë qenë problematike, përfshirë djegësin e Tiranës, rrugën Qukës-Qafë Pllocë dhe Rrugën e Arbrit.
Sipas Berishës, rritja e kostove për ndërtimin e rrugëve dhe projekteve të tjera publike është tregues i korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve gjatë qeverisjes së fundit.
