Katër kandidatë janë zyrtarisht në garë për të drejtuar Autoritetin e Konkurrencës në Shqipëri.
Komisioni Parlamentar për Financat, Ekonominë dhe Punësimin zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatët që kanë aplikuar për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, i cili pritet të mbajë edhe detyrën e kryetarit të institucionit.
Kandidatët në garë për këtë post janë Pajtim Melani, Elidian Balla, Evis Noçka dhe kryetari aktual i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
Gjatë seancës dëgjimore, kandidatët paraqitën vizionin dhe prioritetet e tyre për funksionimin e institucionit, i cili ka rol të rëndësishëm në garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Sipas legjislacionit në fuqi, anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë. Një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikës, dy nga Këshilli i Ministrave dhe dy të tjerë nga Kuvendi.
Ligji parashikon që anëtarët e Komisionit të zgjidhen me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së deputetëve, për një mandat pesëvjeçar. Kryetari i Komisionit emërohet gjithashtu nga Kuvendi.
