Një analizë e publikuar nga BIRN ngre shqetësime serioze për sigurinë kibernetike të institucioneve shqiptare pas sulmit të fundit ndaj Kuvendit, për të cilin përgjegjësinë e mori grupi i hakerave “Homeland Justice”.
Sipas raportimit, grupi i hakerave publikoi në Telegram të dhëna që pretendohet se janë marrë nga serverët e Kuvendit, përfshirë emaile dhe dokumente nga komunikimet e deputetëve. Në publikimet e tyre përfshihej edhe një arkiv prej rreth 815 megabyte materialesh nga korrespondenca elektronike e disa deputetëve.
Hakerat publikuan gjithashtu video që tregojnë akses në sistemet e brendshme të serverëve dhe fshirjen e të dhënave nga infrastruktura virtuale e institucionit.
Ndërkohë, Kuvendi reagoi duke e cilësuar incidentin si një “sulm të sofistikuar”, duke theksuar se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike të intervistuar nga BIRN kanë një vlerësim më kritik për situatën. Sipas ekspertit të IT-së Erion Demiri, pamjet e publikuara tregojnë se hakerat kanë pasur akses në thellësi të infrastrukturës digjitale dhe mund të kenë qenë brenda sistemit për një kohë të gjatë përpara se të kryenin sulmin.
Një tjetër ekspert i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, thekson se përdorimi i fjalëkalimeve të vjetra dhe mungesa e masave bazë të sigurisë sugjeron neglizhencë institucionale.
Sipas tij, fakti që llogaritë dhe akseset nuk janë rinovuar pas sulmeve të mëparshme tregon mungesë të masave minimale të reagimit, si ndryshimi masiv i fjalëkalimeve dhe auditimi i aksesit në sistem.
Ekspertët nënvizojnë se ky është sulmi i tretë i suksesshëm i grupit “Homeland Justice” ndaj institucioneve shqiptare, pas sulmit ndaj platformës e-Albania në vitin 2022 dhe sulmit ndaj infrastrukturës digjitale të Bashkisë së Tiranës në vitin 2025.
Ata paralajmërojnë se cenueshmëria e institucioneve nuk është më vetëm një problem teknik, por një çështje sistemike që kërkon masa më të forta dhe transparencë më të madhe për mënyrën se si menaxhohet siguria kibernetike në vend.
