Shqiptarët rezultojnë ndër përdoruesit më aktivë të shërbimeve të e-qeverisjes në Europë, duke tejkaluar edhe mesataren e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, për vitin 2024 rreth 78% e qytetarëve shqiptarë kanë ndërvepruar me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm. Mesatarja në vendet e Bashkimit Europian për vitin 2025 ishte 72%.
Kjo e vendos Shqipërinë në vendin e parë në rajon për përdorimin e shërbimeve publike online dhe në vendin e 13-të në rang europian.
Pas Shqipërisë në rajon renditet Serbia me 64.2%, e ndjekur nga Kosova me 59.3% dhe Mali i Zi me 52.4%. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë nivelet më të ulëta, me respektivisht 38% dhe 32%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se përdorimi më i madh i shërbimeve online në Shqipëri është te të rinjtë. Rreth 97.5% e qytetarëve të moshës 16-29 vjeç kanë ndërvepruar online me institucionet publike gjatë vitit të fundit, duke e renditur vendin ndër më të lartët në Europë për këtë grupmoshë.
Edhe grupmosha 55-64 vjeç ka një përdorim relativisht të lartë, me rreth 66%. Ndërkohë përdorimi është më i ulët te të moshuarit 65-74 vjeç, ku vetëm 30% ndërveprojnë online me institucionet publike.
Në nivel europian, vendet me përdorimin më të lartë të shërbimeve të e-qeverisjes janë Danimarka me 98%, si dhe Holanda, Finlanda dhe Suedia me nga 96%.
