BIRN: PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut me 82 vota, opozita proteston jashtë Kuvendit

Data

Mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku, ndërsa opozita zhvillonte protestë jashtë Kuvendit.

Seanca plenare u zhvillua nën masa të forta sigurie, ku perimetri i godinës së Parlamentit ishte rrethuar me gardhe metalike dhe forca të shumta policie. Jashtë godinës, mbështetës të opozitës protestuan me thirrje kundër qeverisë dhe korrupsionit.

Në sallën e Kuvendit, deputeti socialist Ulsi Manja prezantoi raportin e shumicës, ku argumentohej se rreziku për prishjen e provave nga ana e Ballukut nuk qëndron më, pasi ajo nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi lexoi raportin e opozitës, ku kërkohej miratimi i kërkesës së SPAK dhe heqja e imunitetit parlamentar për t’i hapur rrugë arrestimit.

Deputetja Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në seancë dhe nuk e shfrytëzoi të drejtën për të mbajtur fjalë para Parlamentit.

Sipas raportimit të BIRN, ky është rasti i parë që nga krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë ku mazhoranca parlamentare del kundër një kërkese të SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeti.

Vendimi i Kuvendit ka sjellë reagime edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë theksoi se imuniteti parlamentar nuk duhet të pengojë llogaridhënien para ligjit, ndërsa Ambasada Gjermane kërkoi që hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta të zhvillohen pa pengesa politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related