Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për mediat pasi zbatoi masën e sigurisë, duke komentuar zhvillimet që lidhen me çështjen gjyqësore “Partizani” dhe pretendimet e tij për atë që e ka quajtur dosja “Aruba”.
I pyetur nëse ish-Presidenti Bamir Topi pritet të dëshmojë në favor të tij në procesin gjyqësor për çështjen “Partizani”, Berisha deklaroi se nuk ka nevojë për dëshmi në mbështetje të tij.
“Nuk kam nevojë për njeri në botë që të dëshmojë pro meje, sepse është dëshmuar që nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka trillime”, u shpreh Berisha.
Lidhur me thirrjen e Bamir Topit në proces, Berisha tha se ish-Presidenti është thirrur në cilësinë e ish-kreut të shtetit dhe ish-komandantit të Forcave të Armatosura, duke shtuar se ai do të japë deklarimet që i konsideron të nevojshme për periudhën në fjalë.
Në të njëjtën dalje për mediat, Berisha bëri edhe deklarata në lidhje me atë që e ka quajtur dosja “Aruba”, duke pretenduar se në dokumente të autoriteteve të huaja përmenden zyrtarë shqiptarë dhe biznesmenë. Këto pretendime nuk janë shoqëruar me prova të bëra publike dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet kompetente.
Deri në publikimin e këtij materiali, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka reaguar lidhur me deklaratat e Berishës. Pretendimet e paraqitura përfaqësojnë qëndrimet e kreut të Partisë Demokratike.
Sqarim: Procesi gjyqësor për çështjen “Partizani” është në vijim. Personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
