Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi pas votimit në Kuvend ku u rrëzua kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
Në një lidhje për emisionin “Sot, Live në Shqipëri”, Tabaku deklaroi se mazhoranca socialiste nuk arriti të tregojë standardet e një demokracie funksionale dhe as ato evropiane.
Sipas saj, seanca parlamentare e sotme ishte një test për Shqipërinë dhe për rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
“Parlamenti humbi një mundësi për të përmbushur minimumin e standardeve demokratike. Ky ishte një test për Shqipërinë dhe integrimin,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke thënë se nuk është normale që kreu i qeverisë të sulmojë këdo që mendon ndryshe.
Tabaku theksoi se SPAK ka ndërtuar një dosje voluminoze për këtë çështje dhe se Kuvendi duhet të kishte dhënë një mesazh të qartë se imuniteti parlamentar nuk është privilegj, por përgjegjësi.
“Sot qeveria i tregoi kufirin drejtësisë, duke vetëpërcaktuar se kush shkon dhe kush nuk shkon përpara drejtësisë,” tha ajo.
Në përfundim, Tabaku paralajmëroi se opozita do të vijojë protestat, duke përmendur edhe mobilizimin e radhës të paralajmëruar për 22 mars.
Në votimin e sotëm në Kuvend, kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut u rrëzua me 82 vota kundër dhe 47 pro, duke bërë që deputetja socialiste të ruajë mandatin.
