Qeveria miraton aktin e parë për bastet sportive online, platforma e centralizuar do të monitorojë çdo bast

Data

Qeveria shqiptare ka miratuar aktin e parë nënligjor për rihapjen e basteve sportive online, duke përcaktuar mënyrën se si do të funksionojë sistemi i ri i lojërave të fatit në vend.

Megjithatë, akti i miratuar do të hyjë në fuqi 30 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, duke shtyrë edhe më tej zbatimin e plotë të ligjit për bastet online, i cili kishte hyrë në fuqi që më 1 prill 2024.

Sipas dokumentit të miratuar, aktiviteti i basteve sportive do të zhvillohet përmes një platforme të centralizuar elektronike, e cila do të regjistrojë dhe monitorojë në kohë reale çdo bast të vendosur nga përdoruesit.

Platforma do të lidhet me të gjithë operatorët e licencuar dhe do të shërbejë si një sistem qendror kontrolli, ku do të regjistrohen të gjitha të dhënat e aktivitetit të basteve, përfshirë shumën e bastit, kohën e vendosjes, koeficientët, rezultatet, fitimet dhe pagesat.

Autoritetet shtetërore përgjegjëse për mbikëqyrjen e lojërave të fatit do të kenë akses të drejtpërdrejtë në këtë sistem, duke monitoruar në kohë reale aktivitetin e operatorëve dhe duke ruajtur historikun e plotë të transaksioneve.

Sipas rregullave të reja, çdo përdorues që dëshiron të vendosë baste online do të duhet të regjistrohet dhe të identifikohet në sistem. Të dhënat e përdoruesve dhe aktiviteti i tyre do të ruhen në platformë për të garantuar transparencë dhe për të parandaluar përdorimin e basteve për pastrim parash apo aktivitete të tjera të paligjshme.

Megjithatë, miratimi i këtij akti nuk do të thotë se bastet sportive do të hapen menjëherë, pasi procesi kërkon edhe miratimin e akteve të tjera nënligjore që do të rregullojnë plotësisht funksionimin e tregut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related