Kapri në protestën e banorëve të Rrjollit: Në grabitjen e pronave janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit

Data

Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Kapri, ishte i pranishëm edhe sot pranë banorëve të Rrjollit, të cilët kanë zhvendosur protestën e tyre përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kapri deklaroi se SPAK duhet të nisë hetime për këtë çështje, pasi sipas tij në grabitjen e pronave janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Ai theksoi se prej gjashtë javësh institucionet nuk kanë reaguar ndaj shqetësimeve të banorëve, ndërsa pretendoi se gjatë protestave është ushtruar edhe dhunë nga policia dhe një kompani private sigurie.

“SPAK ka besimin e shumicës dhe duhet të hetojë këtë çështje, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një konflikt pronësie, por për një grup të strukturuar kriminal”, u shpreh Kapri.

Sipas tij, ka dyshime të forta për mënyrën se si është përfituar prona në zonë, duke ngritur pyetje mbi faktin se si një person ka arritur të zotërojë rreth 50 hektarë tokë në një zonë të mbrojtur.

Kapri shtoi gjithashtu se në këtë proces mund të jenë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe biznese që synojnë të përfitojnë nga pronat në këtë zonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related