Një rrjet i strukturuar kriminal i trafikut të drogës, që vepronte mes Italisë dhe Shqipërisë, është shkatërruar nga autoritetet italiane, duke çuar në arrestimin e 16 personave. Organizata kriminale dyshohet se gjeneronte mbi 150 mijë euro fitime në muaj.
Operacioni u finalizua në qytetin e Pescara-s, ku u ekzekutuan urdhrat e Gjykatës: 9 persona u dërguan në burg, ndërsa 7 të tjerë u lanë në arrest shtëpie. Urdhrat u lëshuan nga Gjykatësi i Hetimeve Paraprake, me kërkesë të Prokurorisë, e cila ka drejtuar dhe koordinuar hetimet.
Hetimet nisën në mars të vitit 2024 dhe zgjatën për më shumë se një vit, duke çuar në mbledhjen e provave të shumta për një rrjet kompleks trafiku droge, të drejtuar kryesisht nga shtetas shqiptarë, me përfshirje edhe të qytetarëve italianë. Provat u siguruan kryesisht përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve të specializuara.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, përfshirë edhe 2 kilogramë kokainë të kapur në flagrancë. Disa prej të arrestuarve rezultojnë persona me precedentë penalë.
Sipas autoriteteve, operacioni i koduar “MareMagnum” mori këtë emër për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike të aktivitetit kriminal, që përfshinte jo vetëm Pescara-n dhe Montesilvano-n, por edhe zona të tjera të Italisë, me degëzime që shkonin deri në Shqipëri.
Një element shqetësues i hetimit ishte fakti se rrjeti kishte në shënjestër edhe persona të njohur në jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetit, përfshirë sipërmarrës, pronarë restorantesh, mjekë dhe avokatë, të cilët dyshohet se blinin drogë në mënyrë të rregullt ose ishin të shantazhuar nga grupi kriminal.
Sipas dosjes hetimore, anëtarët e rrjetit përdornin kërcënime serioze dhe dhunë për të detyruar pagesat për dërgesat e drogës dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës. “Kush nuk paguante, kërcënohej me jetë”, bëjnë me dije burime nga hetimi.
Autoritetet italiane theksojnë se hetimi ka zbardhur të gjithë zinxhirin e trafikimit të drogës, nga nivelet e ulëta të shpërndarjes deri te drejtuesit kryesorë të organizatës, duke goditur një nga rrjetet më aktive të viteve të fundit në këtë zonë.
