Konspiracionisti Alfred Cako ka bërë deklarata të forta lidhur me projektin për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke pretenduar se pas këtij tenderi fshihen interesa ekonomike dhe gjeopolitike.
Sipas tij, projekti është i lidhur me figura të caktuara që, sipas pretendimeve të tij, kanë pasur lidhje të mëparshme me Greqinë. Cako përmendi edhe ish-drejtorin e portit të Durrësit, Piro Vengu, duke pretenduar se ai dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kanë pasur lidhje me Athinën gjatë karrierës së tyre.
Në deklaratat e tij, Cako tha gjithashtu se persona të lidhur me një ish-drejtues të kompanisë AMC i kanë treguar se Balluku është akuzuar nga disa për lidhje me shërbimet sekrete greke. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritete zyrtare.
Ndërkohë, tenderi për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano është referuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për verifikim, pas një kallëzimi që ngre dyshime për parregullsi në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë fituese.
Sipas kallëzimit, kontrata për ndërtimin e portit, me vlerë rreth 400 milionë euro, është fituar nga kompania ARCHIRODON, ndërsa disa kompani të tjera ndërkombëtare janë skualifikuar nga gara për arsye që sipas denoncimit konsiderohen të diskutueshme.
Në kallëzim ngrihen gjithashtu dyshime për mënyrën e përzgjedhjes së vendndodhjes së portit dhe përmasat e projektit, duke argumentuar se faza e parë e ndërtimit parashikon një port më të vogël se ai ekzistues në Durrës.
Çështja është aktualisht në vëmendjen e institucioneve të drejtësisë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar lidhur me pretendimet e bëra.
