Sistemi qendror financiar i shtetit shqiptar, AFMIS, rezulton të mos funksionojë normalisht, duke detyruar institucionet publike që disa procedura të prokurimeve të kryhen përkohësisht në mënyrë manuale.
Sipas një njoftimi të Agjencisë së Prokurimit Publik, me urdhrin nr. 18 të datës 4 shkurt 2026, Ministria e Financave ka informuar autoritetet kontraktore se për shkak të mosfunksionimit të sistemit AFMIS duhet të ndërpriten përkohësisht integrimet e sistemeve dhe procedurat të vijojnë manualisht.
AFMIS është sistemi informatik që kontrollon menaxhimin financiar të shtetit dhe integrimi i tij me platformën e prokurimeve publike kishte si qëllim të verifikonte nëse fondet ekzistojnë në buxhet përpara hapjes së një procedure prokurimi.
Ndërkohë, është zhvilluar edhe një tender për mirëmbajtjen e sistemit AFMIS me fond limit rreth 169 milionë lekë, i shpallur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, e cila ka shprehur shqetësim për paqëndrueshmërinë e sistemeve digjitale qeveritare dhe për problemet e raportuara në funksionimin e platformës e-Albania.
Sipas AmCham, ndërprerjet e shërbimeve dhe performanca e paqëndrueshme e sistemeve digjitale kanë ndikuar negativisht në aktivitetin e bizneseve dhe në proceset administrative.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemeve digjitale, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe të transparencës në proceset e prokurimit publik.
