Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve.
Sipas një analize të përpunuar nga Monitor, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe platformës Global Petrol Price, një qytetari shqiptar i duhet rreth 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë.
Të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri për vitin 2026 vlerësohen rreth 12 mijë dollarë në vit, ose afërsisht 33 dollarë në ditë. Ndërkohë një litër naftë tregtohet rreth 200 lekë, ose rreth 2.4 dollarë.
Kjo e bën peshën e karburantit në buxhetin e qytetarëve shumë më të lartë se në vendet e tjera të rajonit. Në Serbi një litër karburant përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, një nga vendet me çmime relativisht të larta, pesha është rreth 2.5%.
Në ekonomitë më të zhvilluara europiane diferenca është edhe më e madhe për shkak të të ardhurave më të larta. Në vende si Italia, Franca, Gjermania apo Belgjika, një litër karburant përfaqëson zakonisht më pak se 2% të të ardhurave ditore.
Edhe pse në vlerë nominale Shqipëria renditet e pesta në Europë për çmimin e naftës, pas Holandës, Danimarkës, Norvegjisë dhe Zvicrës, pesha reale mbi buxhetin e qytetarëve është shumë më e lartë për shkak të të ardhurave më të ulëta.
Një nga arsyet kryesore të çmimit të lartë të karburantit janë taksat, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit final. Ndër to përfshihen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se në tregun shqiptar çmimet e karburantit rriten shumë shpejt kur rriten në bursat ndërkombëtare, ndërsa uljet reflektohen më ngadalë, duke ndikuar në rritjen e kostove për qytetarët dhe bizneset.
