Gazetari dhe analisti Armand Shkullaku ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u vendos të mos mbështetet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
I ftuar në një studio televizive, Shkullaku u shpreh se mesazhi i Ramës ishte i qartë: ata që nuk e tradhtojnë dhe nuk flasin kundër strukturës së pushtetit do të kenë mbështetjen politike dhe nuk do të dorëzohen përpara drejtësisë.
Sipas tij, Balluku deri më tani nuk ka folur publikisht për akuzat dhe ka besuar plotësisht tek mbrojtja politike e kryeministrit.
Shkullaku argumentoi se akuzat ndaj Ballukut lidhen me zbatimin e vendimeve dhe urdhrave që, sipas tij, vinin nga niveli më i lartë i qeverisë. Ai përmendi si shembull edhe projektin e tunelit të Llogarasë, duke sugjeruar se vendimet për projekte të mëdha infrastrukturore nuk merren vetëm nga një ministër.
Analisti shtoi se mesazhi i dytë që, sipas tij, doli nga qëndrimi i Ramës ishte se ata që mbajnë “gojën mbyllur” do të kenë mbrojtje politike.
Në analizën e tij, Shkullaku e krahasoi strukturën e pushtetit me modele të organizimeve mafioze, duke thënë se sistemi funksionon mbi besnikërinë ndaj liderit dhe mbrojtjen e ndërsjellë brenda strukturës.
Ai shtoi se deklarata të tilla në vende të tjera do të sillnin reagime të forta politike, përfshirë edhe hetime apo dorëheqje nga funksionet publike.
