Juristi Marash Logu ka deklaruar se hetimet për aferat e dyshuara me tenderat që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku nuk duhet të kufizohen vetëm tek ajo, por duhet të shtrihen edhe tek roli i kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një interviste në një studio televizive, Logu u shpreh se nga komunikimet që janë bërë publike deri më tani përmenden raste ku flitet për takime apo udhëzime që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin.
Sipas juristit, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, atëherë SPAK duhet të hetojë se kush ka qenë realisht orientuesi dhe paracaktuesi i procedurave të tenderave për të cilat po hetohet Balluku.
Logu theksoi se nga informacionet që janë bërë publike deri tani, rezulton se në disa komunikime përmenden porosi apo takime që lidhen me kryeministrin, çka sipas tij duhet të verifikohet nga organet e drejtësisë.
Ai përmendi si shembull edhe çështjen e projektit të tunelit të Llogarasë, ku sipas tij janë publikuar foto dhe informacione që tregojnë për një takim në Stamboll me biznesmenë turq, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas Logut, këto elemente duhet të analizohen nga SPAK për të kuptuar nëse vendimmarrja për projekte të mëdha infrastrukturore ka qenë vetëm në nivel ministror apo në nivele më të larta të qeverisë.
