Gazetari dhe analisti Julian Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit politike që lidhen me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe qëndrimin publik të kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të saj.
Gjatë një analize në një studio televizive, Hoxha u shpreh se mbrojtja e fortë që Rama i bëri Ballukut përbën një lëvizje strategjike për të mbrojtur veten nga rreziku që hetimet e drejtësisë mund t’i afrohen edhe atij.
Sipas tij, ky qëndrim përbën një kthesë të fortë krahasuar me retorikën që kryeministri ka përdorur ndër vite për reformën në drejtësi dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë. Hoxha theksoi se Rama ka deklaruar vazhdimisht se askush nuk do të jetë mbi drejtësinë, por rasti i Ballukut tregon një realitet tjetër.
Analisti argumentoi se kur hetimet e SPAK iu afruan “paradhomës” së kryeministrit, Rama ndjeu rrezikun real që sistemi i drejtësisë, i cili u ndërtua gjatë qeverisjes së tij, mund të godasë edhe atë.
Hoxha përmendi gjithashtu disa nga çështjet që lidhen me aktivitetin e Ballukut gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, përfshirë projektin e tunelit të Llogarasë dhe takimet me biznesmenë të huaj për projektet infrastrukturore.
Sipas tij, në këto procese është përmendur edhe roli i kryeministrit, duke theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të mbetet vetëm tek ish-ministrja.
Ai shtoi se Belinda Balluku ka qenë ministrja që ka administruar një nga buxhetet më të mëdha në qeveri, ndërsa SPAK ka njoftuar më herët se po heton të paktën 11 procedura prokurimi ku dyshohet për ndërhyrje në orientimin e fituesve të tenderëve.
Në përfundim, Hoxha theksoi se rasti i Ballukut nuk është vetëm një çështje individuale, por lidhet edhe me përgjegjësinë politike dhe institucionale të qeverisë në menaxhimin e fondeve publike.
