Një 23-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga policia në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm. Operacioni i koduar “Tranzit” u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë së Kufirit të Gjelbër në Kakavijë.
Sipas policisë, i riu me iniciale F. D., 23 vjeç, u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, ndërsa po transportonte me një automjet tip Volkswagen pesë emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet paraprake rezulton se 23-vjeçari dyshohet se po i transportonte emigrantët kundrejt pagesës drejt Tiranës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi automjetin me të cilin kryhej transporti si dhe telefonin celular të të arrestuarit, që do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Operacioni është zhvilluar në vijim të kontrolleve të intensifikuara për parandalimin dhe goditjen e rasteve të transportimit të emigrantëve nga vendet e rajonit MENA, të cilët përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore.
