Gazetari dhe analisti Agim Baçi ka komentuar vendimin e Partisë Socialiste për të mos miratuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në një studio televizive, Baçi u shpreh se nga qëndrimi dhe fjalimi i kryeministrit Edi Rama u kuptua se ai nuk i dha mbrojtje politike Ballukut, por ia la çështjen në dorë drejtësisë.
Sipas tij, Rama shpesh përdor atë që e quajti “shpërthime të kontrolluara”, ndërsa këtë herë mesazhi i tij ishte se procesi ndaj Ballukut duhet të vazhdojë nga organet e drejtësisë.
“Rama e ka lëshuar Belinda Ballukun. Mbrojtje politike i bëri qeverisë së vet, por jo zonjës Balluku. Ai kishte edhe interesin e vet kur tha se Balluku ka marrë fitore në Fier për shkak të pushtetit”, u shpreh Baçi.
Analisti shtoi se pas votimit në Kuvend mund të ketë një tjetër kërkesë nga SPAK, duke lënë të kuptohet se çështja ndaj Ballukut nuk ka përfunduar dhe mund të vijojë me zhvillime të reja.
Baçi theksoi gjithashtu se në fund janë gjykatat ato që do të vendosin nëse ka apo jo përgjegjësi penale për ish-zv.kryeministren, ndërsa politika nuk duhet të marrë rolin e drejtësisë. Sipas tij, procesi ndaj Ballukut sapo ka nisur dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në vijim.
