Kosova dhe Shqipëria kanë forcuar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë duke nënshkruar një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Marrëveshja u firmos në Prishtinë gjatë një takimi pune mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK).
Dokumenti u nënshkrua nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dhe drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho. Të dy drejtuesit shprehën gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar.
Delegacioni nga Shqipëria u prit gjithashtu në takim nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj. Gjatë takimit u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit në të dy vendet.
Autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë zhvilluar edhe më herët operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar. Një prej tyre ishte operacioni i vitit 2024 kundër një rrjeti të trafikut të armëve që vepronte në të dy shtetet, i mbështetur nga Eurojust dhe Europol.
Gjatë atij operacioni u arrestuan 14 persona të dyshuar për furnizim, transport dhe shitje të armëve dhe materialeve shpërthyese, të cilat dyshohet se transportoheshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
