Mazhoranca në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet ka publikuar raportin e plotë ku i kërkohet Kuvendit të mos miratojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Në raport theksohet se ndaj Ballukut nuk ka akuza për korrupsion dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo i prishjes së provave, siç pretendon Prokuroria e Posaçme. Sipas dokumentit, masa e sigurimit personal për pezullimin nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më pasoja juridike reale, pasi ajo nuk ushtron më funksione ekzekutive.
Raporti argumenton se për këtë arsye edhe pretendimet e SPAK për masa më të rënda sigurie, si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale, mbeten hipotetike. Sipas mazhorancës, këto pretendime lidhen me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, të cilat deputetja nuk i ka më.
Në dokument theksohet gjithashtu se Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë e një deputeti dhe as të zëvendësojë rolin e gjykatës, por ushtron një filtër kushtetues për të ruajtur balancën institucionale mes pushteteve.
Sipas vlerësimit të shumicës parlamentare, nga materialet e paraqitura nga SPAK nuk rezulton të ketë rrethana të reja konkrete që të tregojnë se masa aktuale e sigurisë është e pamjaftueshme për zhvillimin e procedimit penal.
Në përfundim, raporti thekson se pretendimi për rëndimin e masës së sigurisë nuk përmbush standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës ekzistuese.
