Stabilitet, parashikueshmëri dhe luftë kundër korrupsionit, janë këto kushtet e kërkuara nga i Ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, David Wisner për tërheqjen e investimeve amerikane në vendin tonë. Sipas Wisner, investitorët amerikanë nuk kërkojnë trajtim të veçantë dhe as avantazhe, por dhënien e një mundësie të drejtë. “Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij. Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne…Nuk duan të kenë avantazh, nuk duan trajtim të veçantë, por duan të dinë se do të jenë në gjendje të përdorin paratë e tyre në një mënyrë të drejtë dhe konkurruese”, deklaroi i Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, David Wisner gjatë një interviste të përbashkët për një revistë ekonomike shqiptare, me presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, (AmCham) Grant Van Cleve, për revistën “Monitor”. Më tej i Ngarkuari me Punë, David Wisner foli dhe për tre prioritetet e ambasadës amerikane në vendin tonë. “Njëri është ndërtimi i lidhjeve të mbrojtjes. Së dyti është ndërtimi i demokracisë në Shqipëri, dhe së treti janë lidhjet biznes me biznes, që mendoj se është fokusi kryesor i diskutimit tonë këtu”, u shpreh ai. Po ashtu, Ëisner tha se po ashtu punohet për të nxitur shqiptarët të investojnë në Shtetet e Bashkuara. “Sepse janë këto investime të rëndësishme që në fund të fundit do të afrojnë më shumë vendet tona, duke u ndërtuar mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi prej më shumë se njëqind vjetësh mes nesh”, nënvizoi Wisner. Ndërkohë Presidenti i AmCham vlerësoi se regjimi rregullator në vendin tonë po përmirësohet. Ai thotë se taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese. “Dhoma Amerikane e Tregtisë këtu bën një indeks biznesi dhe ai po lëviz në drejtimin e duhur. Fatkeqësisht, ende është nën 50% të perceptimit të biznesit, por besoj se klima është në fakt më e mirë se kaq. Besoj se po ndodhin disa ndryshime legjislative. Përmenda më parë fjalën “jetueshmëri””, deklaroi ai. Po ashtu, Grant Van Cleve është i mendimit se njerëzit janë të interesuar të jetojnë këtu. “Mund të ketë nomadë digjitalë, punëtorë në distancë, shefa ekzekutivë dhe zyra rajonale që do të mendonin seriozisht për të jetuar në Shqipëri. Mendoj se regjimi rregullator po përmirësohet. Taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese. Po ngjitemi edhe 4 ose 5 pikë në indeks. Ky është një lajm i mirë, diçka për t’u emocionuar. Por ende ka shifra që tregojnë se ka sfida”, u shpreh ai. Më tej Cleve vë theksin te informaliteti. “Ne ende kemi informalitet në ekonomi. Një përqindje shumë e lartë operon në mënyra që nuk kontribuojnë në sistemin e taksave. Kjo e bën më të vështirë për kompanitë. Ende kemi probleme me titujt e pasurive të paluajtshme, që janë sfiduese. Ende kemi probleme me inspektimet. Të gjitha këto kanë kosto për biznesin. Por pjesa më e keqe është se krijojnë hezitim, e dini, ashtu si kur je në makinë dhe ke këmbën te gazi apo te frenat. Ka mënyra që nuk do të ishte shumë e vështirë që Shqipëria t’i bënte investitorët ta hiqnin këmbën nga frenat dhe t’i jepnin gaz, por kjo kërkon punë. Besoj se ka një vullnet në qeveri për të ndryshuar disa nga këto gjëra”, nënvizoi ai. Kujtojmë se investimet amerikane në vendin tonë janë trefishuar në vitet e fundit, duke arritur deri në 300 milionë dollarë. Nga ana tjetër është shënuar dhe një rritje prej 60% e eksporteve amerikane në Shqipëri vetëm vitin e kaluar.
I ngarkuari me punë i SHBA-së: Stabiliteti dhe lufta kundër korrupsionit, kushtet për tërheqjen e investitorëve amerikanë
Data
