Një raketë balistike e lëshuar nga Irani ka hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë, por është neutralizuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të NATO-s i vendosur në Mesdheun Lindor.
Lajmi u konfirmua nga Ministria Turke e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se raketa u interceptua përpara se të shkaktonte dëme.
Sipas autoriteteve turke, pjesë të mbetjeve të raketës ranë në zona të hapura në provincën Gaziantep, në jug të vendit. Autoritetet theksuan se nuk ka raportime për viktima apo të lënduar nga incidenti.
“Në hapësirën ajrore turke hyri një raketë balistike e lëshuar nga Irani, e cila u neutralizua nga mbrojtja ajrore e NATO-s e vendosur në Mesdheun Lindor. Pjesë të municionit ranë në fusha të zbrazëta në Gaziantep”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Ministria turke shtoi se Turqia i kushton rëndësi ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por paralajmëroi se do të marrë çdo masë të nevojshme për të mbrojtur territorin dhe hapësirën ajrore të saj.
Incidenti vjen në një moment tensionesh të rritura në Lindjen e Mesme, pas përshkallëzimit të konfliktit që përfshin Iranin, SHBA-të dhe aleatët e tyre në rajon.
