Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar detaje të reja mbi aktivitetin e call centerave mashtrues që operojnë nga Shqipëria dhe që synojnë qytetarët italianë me skema investimi të rreme.
Gazetari Luigi Pelazza është rikthyer në Tiranë për të vijuar hetimin mbi këtë fenomen, i cili sipas raportimit përfshin rreth 25 mijë operatorë që punojnë kryesisht nga kryeqyteti shqiptar. Sipas vlerësimeve të publikuara në emision, ky aktivitet kriminal mund të arrijë deri në 500 milionë euro në muaj, duke u krahasuar me fitimet e organizatave të mëdha të trafikut të drogës.
Në reportazh janë përfshirë edhe dëshmi nga ish-punonjës të call centerave. Një grua 35-vjeçare me emrin Sofia tregoi se fillimisht kishte menduar se puna ishte e ligjshme, por më pas kishte kuptuar se bëhej fjalë për mashtrime ndaj qytetarëve italianë.
Sipas saj, gjatë një operacioni të SPAK në një nga kullat e Tiranës, operatorët ishin paralajmëruar rreth një orë para ndërhyrjes së policisë që të mos paraqiteshin në punë, çka ka ngritur dyshime për dekonspirim të aksionit.
Një tjetër dëshmitar, një ish-operator me përvojë disa vjeçare në këtë sektor, pretendon se pas disa call centerave qëndrojnë persona të njohur, përfshirë një ish-deputet dhe persona me lidhje të rëndësishme në vend.
Pas këtyre dëshmive, gazetari italian ka kontaktuar drejtues të Policisë së Shtetit, të cilët sipas tij kanë premtuar ndërhyrje, por pa dhënë më pas një përgjigje konkrete.
Në përfundim të reportazhit, Pelazza i ka bërë një thirrje publike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë për të ndalur aktivitetin e call centerave mashtrues që, sipas tij, po përdorin Shqipërinë për të mash
