Bujqësia shqiptare po përballet me një nga goditjet më të rënda të viteve të fundit, pasi përmbytjet masive dhe ngricat e njëpasnjëshme kanë shkatërruar deri në 65% të prodhimit të perimeve, veçanërisht në zonat me bujqësi intensive.
Uji në fusha dhe në sera ka dëmtuar prodhimin që ishte në fazë vjeljeje, ndërsa ngricat e dy ditëve të fundit kanë asgjësuar fidanët e sezonit të hershëm. Qarqet më të prekura janë Berati, Lushnja dhe Fieri, të cilat përbëjnë zemrën e prodhimit bujqësor dhe të eksporteve të perimeve në Shqipëri.
13 mijë hektarë tokë nën ujë
Sipas të dhënave zyrtare, deri pak ditë më parë ishin përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Në Myzeqe, përmbytjet kanë prekur drejtpërdrejt fshatra të njohur për prodhimin në sera dhe eksportet, duke shkaktuar dëme të rënda jo vetëm në prodhimin aktual, por edhe në strukturat e serave dhe përgatitjen e tokës për ciklin e ardhshëm.
Në Lushnjë, zonat më të goditura janë Plug, Karavasta e Re dhe Krutja, ku uji ka mbajtur për ditë të tëra nën ujë serat plastike, duke çuar në humbje të plota të prodhimit të hershëm.
Në Fier, përmbytjet kanë prekur Hoxharën, Suk 1 dhe Kallmin e Madh, ku uji ka mbuluar edhe rrugët lidhëse, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë të fermerëve për shpëtimin e kulturave.
Goditje e dyfishtë nga ngricat
Në qarkun e Beratit, veçanërisht në Otllak, Velabisht dhe Kozare, toka dhe serat kanë qëndruar të përmbytura për periudha të zgjatura, duke sjellë kalbje të rrënjëve dhe humbje të fidanëve. Sipas fermerëve, ngricat e dy ditëve të fundit i dhanë goditjen finale prodhimit, duke dëmtuar edhe bimët që kishin shpëtuar nga uji.
Dëme edhe në blegtori
Situata është e rëndë edhe për blegtorinë. Në zonat Banaj dhe Sheq në Dimal të Beratit, janë raportuar humbje të mëdha të rezervave ushqimore për bagëtitë, ndërsa mijëra shpendë kanë ngordhur. Zonat e përmbytura ndodhen tashmë në emergjencë për sigurimin e ushqimit për kafshët.
Rrezik për çmimet dhe eksportet
Zonat e prekura nga përmbytjet dhe ngricat kontribuojnë rreth 65% të prodhimit të perimeve në rang kombëtar dhe afro 80% të eksporteve të prodhimeve të freskëta. Përveç goditjes së drejtpërdrejtë në të ardhurat e fermerëve, pritet që kjo situatë të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në rënien e eksporteve bujqësore në muajt në vijim.
Fermerët pa mbrojtje financiare
Humbjet e krijuara tejkalojnë kapacitetin financiar të një familjeje bujqësore. Fermerët shqiptarë nuk përfitojnë subvencione të mjaftueshme dhe nuk janë të siguruar, duke mbetur plotësisht të ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore. Ndryshe nga vendet e Bashkimit Europian, ku shteti mbulon një pjesë të primit të sigurimit bujqësor, në Shqipëri mungesa e këtij mekanizmi e lë fermerin të vetëm përballë krizës klimatike.
