Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që më 12 mars të mblidhen para Parlamentit në një protestë që ai e cilësoi si reagimin më të fuqishëm qytetar kundër qeverisë.
Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në një sërë aferash korruptive dhe për përdorimin e shumicës parlamentare për të mbrojtur zyrtarët e qeverisë nga drejtësia.
Sipas tij, vendimi i mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku tregon se parlamenti është kthyer në një instrument politik për të mbrojtur korrupsionin.
Berisha deklaroi se Rama është i përfshirë në koncesione dhe tendera të mëdhenj publikë, duke përmendur mes tyre inceneratorët, koncesionet në shëndetësi dhe projektet infrastrukturore.
Ai ngriti gjithashtu akuza edhe për projektin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se pasuria publike është vënë në rrezik nga vendimet e qeverisë.
Sipas kreut të opozitës, vendimi i fundit i mazhorancës për çështjen Balluku tregon se kryeministri është i gatshëm të përdorë çdo mekanizëm për të shmangur përballjen me drejtësinë.
“Fjala tani është e qytetarëve. Më 12 mars e gjithë Shqipëria para Parlamentit, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se qytetarët duhet të reagojnë kundër asaj që e cilësoi si përpjekje për të vendosur qeverinë mbi ligjin dhe për të mbrojtur korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit.
