Një konflikt mes dy nxënësve të gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë ka përfunduar me masa disiplinore të rënda, pasi njëri prej tyre mbeti i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur së fundmi jashtë procesit mësimor, ku dy gjimnazistë janë përfshirë në një përplasje fizike. Si pasojë e konfliktit ka mbetur i plagosur nxënësi me inicialet Dh.C, i cili sipas informacionit zyrtar ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas njoftimit nga Komisariati i Policisë Delvinë dhe Oficeri i Sigurisë në shkollë, rasti u shqyrtua nga Komisioni i Disiplinës.
Pas analizimit të rrethanave, komisioni vendosi përjashtimin nga shkolla të nxënësit me inicialet F.H, në përputhje me rregulloren në fuqi.
Drejtoria e shkollës bëri të ditur se do të ndërmerren masa shtesë për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të ngjashme. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Oficerin e Sigurisë do të forcohet monitorimi i ambienteve të shkollës dhe do të zhvillohen takime ndërgjegjësuese me nxënësit dhe prindërit.
Në reagimin zyrtar, gjimnazi “Sulejman Delvina” theksoi se dënon çdo formë dhune dhe mbetet i angazhuar për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë nxënësit.
