Reperi nepalez Balendra Shah, i njohur edhe si “Balen”, ka shënuar një fitore të rëndësishme politike në Nepal, duke mposhtur ish-kryeministrin Sharma KP Oli në zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas rezultateve të konfirmuara nga Komisioni Zgjedhor i Nepalit, Shah, 35 vjeç, mori 68,348 vota, ndërsa Oli vetëm 18,734, duke pësuar një humbje të thellë në zonën e tij zgjedhore parlamentare.
Shah kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Katmandusë në janar për t’u përballur drejtpërdrejt me Olin në zgjedhje.
Pas fitores së partisë së tij Rastriya Swatantra Party (RSP) në zgjedhjet e përgjithshme, ai pritet të marrë postin e kryeministrit të Nepalit, duke shënuar një nga transformimet më të pazakonta nga skena artistike në politikë.
Para hyrjes në politikë, Shah ishte një figurë e njohur në skenën e hip-hopit nepalez. Një nga këngët e tij më të njohura, “Balidan”, që trajton temën e sakrificës, ka grumbulluar miliona shikime në YouTube.
Popullariteti i tij u rrit edhe gjatë protestave të mëdha të vitit 2025, të njohura si demonstratat e “Gjeneratës Z”, të cilat shpërthyen pas vendimit të qeverisë së atëhershme për të ndaluar disa platforma të rrjeteve sociale.
Protestat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme, ku 77 persona humbën jetën. Një hetim i BBC zbuloi se shefi i policisë kishte dhënë urdhër për përdorimin e armëve vdekjeprurëse ndaj protestuesve të paarmatosur.
Në atë kohë, Shah doli hapur në mbështetje të protestuesve dhe kritikoi ashpër ish-kryeministrin Oli, duke e akuzuar për tradhti ndaj vendit.
Fitorja e tij konsiderohet nga shumë analistë si një shenjë e ndryshimit politik në Nepal dhe e rritjes së ndikimit të figurave të reja në politikën e vendit.
