Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka pritur në Florida disa liderë të Amerikës Latine, ku ka shpallur krijimin e një koalicioni ushtarak kundër karteleve të drogës në rajon.
Nisma u prezantua gjatë samitit të quajtur “Shield of the Americas”, ku morën pjesë drejtues nga vende të Amerikës Qendrore, Amerikës Jugore dhe Karaibeve.
Gjatë takimit, Trump nënshkroi një dekret për krijimin zyrtar të koalicionit, i cili synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan theksoi se kartelet e drogës përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e rajonit dhe për vetë Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, rajoni i Amerikës Latine ka potencial të madh ekonomik dhe zhvillimor, por ky potencial nuk mund të realizohet pa goditur fuqishëm organizatat kriminale që kontrollojnë trafikun e drogës.
Në kuadër të kësaj strategjie, administrata amerikane ka rritur presionin politik dhe ushtarak në rajon, përfshirë edhe ndërhyrjen në Venezuelë, e cila përfundoi me kapjen e presidentit Nicolás Maduro.
Koalicioni i ri pritet të përfshijë operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe koordinim më të madh mes forcave të sigurisë së vendeve pjesëmarrëse për të luftuar rrjetet kriminale që veprojnë në gjithë kontinentin.
