Edi Rama ka bërë të tjera ndryshime sa i përket drejtuesve politik të Qarqeve. Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PS-së është zyrtarizuar ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu si drejtues politik në Vlorë.
Pirro Vengu do të jetë ndihmës i Bledi Çuçit, duke e bashkëdrejtuar së bashku Qarkun e Vlorës. Çuçi ishte caktuar që në Asamblenë e shtatorit si drejtues qarku në Vlorë dhe nuk dihet pse Rama ka marrë vendimin për t’i çuar një ndihmës.
Nga postimet në rrjetet sociale, Pirro Vengu kuptohet se e ka nisur prej disa ditësh punën si drejtues politik në Vlorë, por ditën e sotme u bë zyrtarizimi i tij.

Ndoshta, Rama ka marrë informacion se Çuçi mund të jetë i radhës që mund të goditet nga drejtësia, teksa kjo mbetet për t’u parë. Disa muaj më parë, Çuçi dëshmoi në Prokurorinë e Beratit për vjedhjen e 500 ton metaleve në Kombinatin Mekanik të Poliçanit.
Ndërkohë, Pirro Vengu ka vetëm pak muaj si ministër, pasi më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, vartës i Belinda Ballukut, e cila është drejtuese politike në Fier.
