Muzhaqi: Bardhi ka ofenduar rëndë gratë socialiste dhe ende nuk ka kërkuar ndjesë

Data

Debati për gjuhën e përdorur në Kuvend vijoi edhe në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ku deputetët u ndalën te incidentet verbale të ndodhura gjatë seancës plenare një ditë më parë.

Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, u shpreh se kolegu i saj Taulant Balla ka kërkuar disa herë ndjesë për fjalët e përdorura ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, duke shtuar se e kupton reagimin dhe solidarizohet me të.

Megjithatë, Muzhaqi theksoi se sipas saj ka pasur ofendime edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ndaj grave socialiste, për të cilat, sipas saj, ende nuk është kërkuar ndjesë.

“Unë akoma nuk kam një ndjesë nga kryetari i grupit tuaj për fjalinë që tha për gratë socialiste. Ajo fjali na prek të gjithave, jo vetëm gratë socialiste në sallë, por edhe ato anembanë vendit”, u shpreh Muzhaqi.

Deputetja socialiste bëri thirrje që gjuha fyese dhe fjalori i papërshtatshëm të mos përdoren në Kuvend nga asnjë palë politike.

Sipas saj, debatet politike nuk duhet të përfshijnë ofendime ndaj grave, duke theksuar se koha kur politikanët shanin njëri-tjetrin duke përdorur gra si objekt sulmi duhet të marrë fund.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related